Përfundon me sukses mbajtja e dy raundeve të Trajnimeve për Zhvillimin e Planeve të Biznesit

Në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës – KYP sot, u përmbyll trajnimi për Zhvillimin e Planit të Biznesit/Projektit i realizuar në kuadër të thirrjes së hapur Mbështetje e Aktiviteteve Sipërmarrëse të të Rinjve.

Trajnimi është ndjekur nga përfaqësues të bizneseve të udhëhequra nga të rinjtë e moshës (18 – 29 vjeç) dhe organizata jo-qeveritare (OJQ), nga tetë komunat e targetuara me projekt duke ofruar kështu mundësi për të dy entitetet. Trajnimi ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të pjesëmarrësve në shkrimin e planeve të bizneseve/projektit që të krijojë punësimin e të rinjve dhe që të kontribuojë në sigurimin e qëndrueshmërisë së biznesit/veprimtarisë së tyre. Për më tepër ky trajnim u ofroj mundësinë aplikantëve të përzgjedhur në listën e ngushtë që më tutje të përmirësojnë biznes/projekt idetë e tyre dhe kështu të vijojnë garën për përzgjedhjen e tyre për mbështetje financiare.

Njëri nga pjesëmarrësit në trajnim, tha që: “Unë personalisht nuk kam marr trajnime të tilla më herët si dhe nuk kam pasur mundësinë që vet të shkruaj një plan të biznesit mirëpo, këto ditë të trajnimit po më ndihmojnë ta kuptoj një gjë të tillë dhe aktualisht ta shkruaj.”

Ndërsa një pjesëmarrës tjetër tha se: “Trajnimi po na ndihmon edhe më shumë që të profesionalizojmë idenë tonë dhe në të njëjtën kohë të marrim më shumë njohuri.”

Projekti KYP do të mbështesë deri në 5 aktivitete sipërmarrëse nga biznese të regjistruara dhe/ose OJQ, me një shumë mesatare të grantit prej 8,000 euro.

Ky aktivitet po zbatohet në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.