Handikos Gjakova lansoj hapjen e punëtorisë “Edhe ne mundemi”

Në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës, që po zbatohet nga CARE International zyra në Kosovë, organizata Handikos Gjakova përfituese e nën-granteve, sot ka lansuar hapjen e punëtorisë “Edhe ne mundemi” që do të funksionojë në ambientet e saj. Kjo punëtori/program ka për qëllim përfshirjen socio-ekonomike të të rinjve anëtarë të Handikos Gjakovës. Në këtë punëtori do të zhvillohen aktivitete të cilat gjenerojnë të hyra përmes prodhimit/krijimit dhe shitjes së produkteve të ndryshme dekorative dhe mjeteve ortopedike/asisitive për personat me aftësi të kufizuar, e po ashtu me synim më afatgjatë që të krijohen ndërmarrje sociale dhe punësohen vetë personat me aftësi të kufizuar, gjë kjo që kontribuon në qëndrueshmërinë e kësaj punëtorie.

Në këtë event pjesëmarrës ishin prezent të ftuarit nga institucionet publike lokale në Gjakovë si: Drejtor në Drejtorinë për Punë të Përgjithshme Administrative, z. Kosovar Alija, znj. Adea Roka, Drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe z. Arbër Zhubi, Drejtor i Qendrës së Aftësimit Profesional të cilët përshëndetën nismën e realizuar përmes këtij projekti i cili sjell risi dhe më shumë mundësi për personat me aftësi të kufizuar në Komunën e Gjakovës. Po ashtu pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të bizneseve lokal të cilët shfaqen interesin e tyre që të mund të kontribuojnë në shpërndarjen dhe shitjen e produkteve që do të prodhohen me pajisjet e blera nga Handikos Gjakova.

Ndërsa njëri prej përfituesve direkt të projektit tregoj se aktivitete të tilla i shërbejnë komunitetit të personave me aftësi të kufizuar që të socializohen dhe krijojnë më shumë mundësi për pjesëmarrje, kështu duke krijuar kushte që ata të jenë të barabartë në shoqëri.

Handikos Gjakova po zbaton projektin “Edhe ne mundemi” si organizatë përfituese e skemës së Mbështetjes Financiare për Palët e Treta.

Ky aktivitet po realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE).