Me datë 29 shtator, si pjesë e aktiviteteve të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës, CARE Deutschland e.V. Zyra në Kosovë me partnerin bashkëp-implementues SHL-Kosova organizuan debat me të rinjtë e Kosovës në kuadër të Kongresit Kombëtar të të Rinjve të Kosovës 2022.
Kongresi i sivjetshëm me temën: “Si t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë” u mbajt në Kino Lumbardhi në Prizren i cili u ndjek nga një audiencë prej më shumë se 160 të rinjve dhe pjesëmarrësve të ftuar. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Kongresin Kombëtar të të Rinjve të Kosovës i cili u pasurua me prezencën e përfaqësuesve institucional.
Të rinjtë njëherit pjesëmarrës aktiv në debat patën mundësinë që të tregojnë më shumë mbi arsyet që po i shtyejnë ata të largohen nga Kosova.
Njëri prej pjesëmarrësve gjatë diskutimit të hapur tha se: “Të rinjtë nuk po largohen nga Kosova për shkak të mbijetesës, sepse edhe këtu e gjejnë të njejtën, mirëpo po largohen për një jetë me mirëqenie më të mirë. Faji nuk duhet asnjëherë të drejtohet nga të rinjtë, mirëpo në vendin tonë mungon një ekonomi e cila ju ofron mundësi të gjithve.”
Fjalë rasti tha edhe kryetari i Prizrenit qytetit nikoqir të eventit, z. Shaqir Totaj i cili konsideroj se: “Tema e debatit është mjaft atraktive dhe e njejta kërkon trajtim nga të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të zbulohen shkaqet e ikjes së të rinjve nga vendi dhe kështu të njejtat të trajtohen nga institucionet.”
Diskutimi kishte për qëllim që të ju jepte hapësirë të rinjve të moshës 15 – 25 vjec që të shprehin mendimet e tyre mbi arsyet e largimit të të rinjve nga vendi si dhe zgjidhjen potenciale. Në mesin e shumë komenteve një e re tjetër tha se: “Përgjegjësia për të krijuar një vend më të mirë bie edhe mbi ne, ne duhet ta duam vendin tonë aq shumë sa mos ta lëshojmë.”
Nga ky diskutim u përpiluan edhe disa rekomandime nga komentet e të rinjve të cilat më tutje do të adresohen në institucionet përkatëse në nivelin lokal dhe qendror, kështu duke avokuar drejtpërdrejt për interesat e tyre.
Pjesë e këtij paneli ishin: Xhevat Bajrami, Drejtor i Departamentit të Rinisë pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Sihan Gashi, Qendra Rajonale e Aftësimit Profesional; Dorina Lluka Davis, Drejtore Ekzekutive në YMCA; Valmira Morina, Përfaqësues Rinore; Arben Shala, Konsulent Planifikimi për Rini; dhe Shkumbin Arifi, Drejtor Ekzekutiv i SHL-Kosova.
Debati u moderua nga Vjollca Gurgule, Zëvëndës Drejtore Ekzekutive në SHL-Kosova me udhëheqjen e Erblin Hoxhës, Drejtor Ekzekutiv tek Debate Center.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian zyra në Kosovë.