Në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës – KYP gjatë datave 26 – 27 shtator, CARE Deutschland e.V. dhe SHL-Kosova zhvilluan trajnimin e parë mbi Ngritjen e Kapaciteteve dhe Ndërgjegjësimin për të Drejtat e Njeriut, Përfaqësimin, Avokimin, Aktivizmin dhe Mobilizimin e të Rinjve.
Konsulentët, Kushtrim Palushi dhe Blerina Ramaj trajnuan të rinjtë nga Rahoveci (mosha 15 – 25) mbi: “Të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve dhe qeverisjen në Kosovë” si dhe “Avokimi, Mobilizimi dhe Aktivizmi Rinor”. Trajnimi dy-ditor synon të rrisë kapacitetin e njohurive mbi të drejtat e njeriut, përfaqësimin, avokimin dhe aktivizmin e të rinjve nga tetë komunat e synuara për të bërë ndryshime pozitive në komunitetin e tyre.
Gjithashtu, gjatë këtij trajnimi, të rinjtë pjesëmarrës u informuan për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin shoqëror dhe vendimmarrjen në të gjitha nivelet, si dhe teknikat e avokimit. Ndërsa për ta kuptuar më shumë avokimin dhe rëndësinë e qytetarisë aktive ata mësuan hapat nga disa prej praktikave më të mira qytetare dhe nismave që janë ndërmarr në vend dhe jashtë.
Ky trajnim është një nga gjithsej tetë trajnimet që planifikohen të zhvillohen me të rinjtë nga zonat rurale (komunat e vogla) të synuara me projektin. Projekti KYP zbatohet në tetë komuna: Deçan, Fushë Kosovë, Gjakovë, Junik, Obiliq, Pejë, Rahovec dhe Suharekë.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës Kosova – KYP me mbështetjen financiare të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.