CARE International organizoj Konferencën Përmbyllëse të projektit të financuar nga BE Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës – KYP

CARE International me krenari organizoj Konferencën Përmbyllëse të Projektit Pjesëmarrja e të Rinjve të Kosovës – KYP, sot me 10 korrik 2024. Konferenca mbledhi palë të interesit, duke përfshirë përfaqësues nga organet qendrore dhe lokale të vendimmarrjes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës, CARE Deutschland e.V., CARE International Balkans, si dhe organizatat jo-qeveritare dhe përfituesit e projektit.

Në këtë konferencë për fjalë rasti ishin prezent: Alessandro BIANCIARDI, Zëvendës Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Karl-Otto Zentel, Drejtor i Vendit, CARE Deutschland e.V, Dorotea Deshishku, Këshilltare Politike në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gani Ismajli, Udhëheqës i Divizionit për Zhvillim të Cilësisë dhe Certifikim, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, dhe Sumka Bucan, Drejtore Rajonale, CARE International Balkans. Konferenca u moderua nga Gjylymser Nallbani, CARE International.

Në fjalë rasit menaxherja e projektit Melita Bytyci – Kelmendi shpalosi të arriturat dhe gjetjet nga projekti përgjatë 30 muajve të zbatimit të tij. Ajo ndau me të pranishmit se gjatë zbatimit të projektit nga 15.01.2022 deri më 14.07.2024, projekti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në nivelin lokal, duke përfshirë ndarjen e 150,000€ përmes Skemës për Mbështetje Financiare për Palët e Treta (MFPT). Ku u përfshi financimi i 15 nismave lokale (1,000€ për secilën), shpërndarjen e nëntë nëngranteve për OJQ-të dhe bizneset e udhëhequra nga të rinjtë (gjithsej 72,000€), vendosjen e 50 të rinjve në program të punës praktike me pagesë (75,000€) dhe ofrimin e mundësive për trajnim për 48 të rinj në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Republikës së Kosovës për t’i zhvilluar shkathtësitë e tyre profesionale.

Përveç kësaj, përmes përpjekjeve për avokim, projekti  me sukses i ka integruar kërkesat e të rinjve në Strategjinë Shtetërore për të Rini 2024-2032. Nga projekti KYP kanë përfituar drejtpërdrejt 2008 të rinj, prej të cilëve 60% janë gra të reja, nga komunat e synuara si Deçani, Fushë Kosova, Gjakova, Juniku, Obiliqi, Peja, Rahoveci dhe Suhareka.

Buxheti i përgjithshëm i projektit ishte në vlerë prej 421,795.64€ prej të cilave 366,498.23€ janë ndarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes iniciativës së saj Avancimi i rolit të shoqërisë civile për drejtësi sociale, pjesëmarrje dhe të drejtat e njeriut, në kuadër të Programit të Shoqërisë Civile dhe Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. CARE Deutschland e.V. ka kontribuar në buxhetin e përgjithshëm me 55,297.41€.